![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2024/12/abazi.png)
Zyrtare: Haki Abazi në listën zgjedhore të AAK-së
Deputeti Haki Abazi do ta synojë edhe një mandat në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Ai do të garojë në listën zgjedhore të AAK-së.
Në një konferencë për medie, Abazi ka thënë se ka gjëra që i përbashkojnë konceptet e tij dhe të AAK-së.
“Kjo është arsyeja pse unë jam sot këtu”, ka thënë ai, duke folur tutje për bashkëpunimin e kahmotshëm që treguar se e ka pasur me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Gjithçka që ka qenë në interes të vendit dhe të kombit tonë ka qenë pjesë e diskutimeve të përbashkëta, qoftë direkt me z. Haradinaj apo me kryetarin e grupit parlamentar, Besnikun”, ka thënë ai.
Abazi ka thënë se “integrimi në NATO është prioriteti mbi prioritetet për Kosovën dhe popullin e Kosovës”.
“Mendoj që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka vizionin më të qartë, planin më të qartë, hapat e sigurt të depërtimit deri te anëtarësimi në NATO”, ka thënë ai.
Më tutje, Abazi ka falënderuar AAK-në ku ka thënë se e gjeti “idenë e Skënderbeut me i bë thuprat bashkë e mos me u thy në këto situata shumë delikate të sigurisë”.
“Unë kam vendosur që të jem krahu i z. Haradinaj dhe miqve këtu në AAK, përfshi z. Gjini si një model të një udhëheqjeje me dinamikë e me reforma të mëdha”, ka thënë ai në konferencën për media, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.
Ndërsa, Ramush Haradinaj, ka thënë paraprakisht se sot në selinë e AAK-së është “një ditë e veçantë”.
“Në shumë etapa të rrugëtimit tonë, e ka bërë pjesën e vet të çmuar. Edhe unë jam dëshmitar i këtij angazhimi të Hakiut, të cilin e njoh që nga paslufta për kontributin e tij në mbështetje të shoqërisë civile e demokratizimit të vendit, e proceseve demokratike”.
“Hakiu nuk ka pasur vetëm etiketë partiake, por çdoherë ka qenë i hapur për komunikim, për bashkëpunim me të gjithë ne në Parlament”, ka thënë Haradinaj.