Zyrtare: Kosova ka 1 milion e 586 mijë banorë
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka mbajtur një konferencë, ku ka shfaqur statistikat preliminare të regjistrimit të popullsisë që ishte mbajtur në maj të këtij viti.
Në këtë konferencë, ASK-ja ka vlerësuar si shumë të rëndësishme këtë regjistrim, duke treguar edhe ecajaken e krejt këtij procesi. Por sa banorë ka Kosova?
Sipas statistikave preliminare të ASK-së, që i ka prezantuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, Kosova ka 1 milion e 586 mijë 659 banorë.
Në bazë të regjistrimit të vitit 2011, Kosova kishte 1 milionë e 739 mijë banorë.
Nga statistikat e prezantuara sot, u kuptua se në Kosovë ka më shumë burra se gra. Më saktë, në Kosovë jetojnë 795 046 banorë të gjinisë mashkullore, ndërsa 791 614 janë banore të gjinisë femrore.
Ndërsa nga diaspora janë 600 mijë të regjistruar.
Në statistikat e ASK-së është kuptuar që dominon popullsia e grupmoshave 16-64 vjeç, ndërsa ka rënie tek popullsia 0-15 vjeç. Po ashtu, sipas prezantimit, vëreht një rritje tek popullsia mbi moshën 65-vjeçare.
“Si dhe ka një rritje dyshifrore për herë të parë të popullsisë mbi moshën 65-vjeçare, që nënkupton planifikim dhe përkujdesje në të ardhmen për këtë moshë” – tha ai.
Në këtë konferencë, ASK-ja ka treguar se i gjithë procesi, përfshirë anketa ishte hartuar duke respektuar kërkesat dhe kriteret ndërkombëtare.
Në këtë konferencë ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka vlerësuar shpejtësinë me të cilën ASK-ja ka punuar, duke paraqitur rezultatet preliminare pak javë pas grumbullimit të të dhënave.
“Pa të dhëna të sakta, pa statistika edhe vendimet do të jenë jo të sakta. Në demokraci marrja e vendimeve politike është shumë me rëndësi të mëdha. Unë jam krenar si kryeministër për përkushtimin dhe angazhimin e atyre që morën pjesë në këtë proces. Unë personalisht në një periudhë të shkurtër kohore kam biseduar disa herë ASK-në për të ofruar mbështetjen time. BE, USAID bazohen në të dhëna tjera statistikore për të marrë vendime të tjera. Ky angazhim e rrit integrimin në arenën ndërkombëtare. Një agjenci e fuqishme e statistikave e cila ofron statistika të rëndësishme është një agjenci e çmuar për vendin…Në një mënyrë, statistikat e mirëfillta janë si GPS-ja për të ardhmen tonë. Me të dhëna të sakta, jemi të sigurt se nuk do ta humbin rrugën dhe do ta gjejmë distenacionin tonë. Pa to, do të përfundonim duke bërë rrotullime dhe zigzage duke humbur burime të vlefshme” – ka thënë Kurti.
Ushtrues i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, gjatë prezantimit të të dhënave preliminare të regjistrimit të popullsisë, ka treguar edhe komunat që janë rritur dhe janë zvogëluar nga regjistrimi i fundit.
Ai ka bërë me dije se komuna që është rritur më se shumti është Fushë Kosova.
Sipas tij, kjo komunë është rritur prej 84 për qind.
“Vlen të theksohet se 9 komuna kishin rritje, ndërsa 29 të tjera kishin zvogëlim. Komuna e cila është rritur me se shumti gjatë kësaj periudhe, rreth 84 për qind, është Fushë Kosova. Pason Parteshi, Shterpca, Kllokoti dhe Graçanica”, ka thënë ai.
Kastrati ka sqaruar se rritja e komunave, të cilat përbehet kryesisht nga komuniteti serb.
Ai ka treguar se ky komunitet në masë të madhe e kishte braktisur regjistrimin e popullsisë në vitin 2011.
Ndërsa në këtë proces, ka thënë ai, komuniteti serb që jeton në jug të lumit Iber është regjistruar.