Zyrtare: Kusari-Lila, kandidate e LV-së dhe Alternativës për kryetare të Gjakovës

12 gusht 2021 | 21:06

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se Mimoza Kusari-Lila do të jetë kandidate për kryetare të komunës së Gjakovës për zgjedhjet lokale.

“Njoftojmë opinionin publik që kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për Gjakovë do të jetë kryetarja e Alternativës për Kosovën dhe njëherit ushtruesja e detyrës së grupit tonë parlamentar, zonja Mimoza Kusari-Lila”, ka njoftuar LV-ja.

Njoftimi i plotë i LV-së:

Bashkëpunimit të suksesshëm ia mbajmë gjithnjë derën hapur.

Fryma e shkëlqyeshme e bashkëveprimit mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Alternativës për Kosovën ka sjellë rezultate të mira në nivel qendror e tash është momenti ta zgjerojmë edhe në nivel lokal. Ndryshimet e mëdha për të cilat ka nevojë Kosova, kërkojnë një bashkërendim të reformave e veprimeve të Qeverisë, me një drejtim transformues nëpër komuna.

Përmes këtij memorandumi mes subjekteve tona njoftojmë opinionin publik që kandidatja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Gjakovë do të jetë Kryetarja e Alternativës për Kosovën dhe njëherit ushtruesja e detyrës së grupit tonë parlamentar, zonja Mimoza Kusari-Lila.

Me 14 shkurt u bashkuam në listën ngadhnjyese për referendumin e Republikës, në 17 tetor duhet të bashkohemi edhe një herë, për komunën, fshatin e lagjen tonë. Qeverisjes së mirë në nivel qendror duhet t’ja bashkangjesim edhe qeverisjen punëtore në nivel lokal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhyldane Kiçmari është shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës nga pozita…