Zyrtare: Maldini rikthehet te Milani
“Epoka e re” e AC Milan është përforcuar më tej me emërimin e Paolo Maldini si drejtori i zhvillimit të strategjisë në fushën sportive.
“Paolo është një “legjendë” e mirëfilltë për historinë kuqezi, për klasin e tij të jashtëzakonshëm, për talentin, aftësitë udhëheqëse, besnikërinë dhe rekordin e sukseseve, që nuk mund të krahasohet me askënd. Këto cilësi do të luajnë një rol thelbësor për ta kthyer Milan te madhështia që i takon”, kjo ishte një pjesë e komunikatës së klubit kuqezi ku zyrtarizonte rikthimin e Paolo Maldini në Milanello.
Konferenca e shtypit ku do të prezantohet ish-kapiteni do të mbahet nesër pasdite në “Casa Milan”. Maldini, numri 3 më i famshëm në historinë e Milan dhe gjithë Serie A debutoi me ekipin e parë kur ishte 16 vjeç.
Gjatë karrierës së tij, me 648 ndeshje në Serie A, 419 prej të cilave si kapiten, ai ka fituar 26 trofe: 7 tituj në Itali, 5 trofe të Champions League, 5 Superkupa të Italisë, 1 Kupë të Italisë, 5 Superkupa të Europës, 1 Botëror për klube dhe 2 Kupa Interkontinentale. Ndeshjen e fundit me Milan ai e luajti në vitin 2009. /Telesport/