Zyrtare: Millorad Dodiku konfirmohet president i Republikës Sërpska
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjë e Hercegovinës zyrtarisht ka njoftuar se pas rinumërimit të votave, Millorad Dodik, kreu i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur, ka fituar më së shumti vota për tu zgjedhur në pozitën e presidentit të Republikës Sërpska.
Dodiku është shpallur zyrtarisht fitues i presidencës së njësisë serbe të vendit pas një procesi të rinumërimit që ndodhi me kërkesë të opozitës.
Rinumërimit i ka paraprirë raportimi i një mori shkeljesh në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Bosnje e Hercegovinë, raporton “Rel”.
“Në lidhje me rezultatet origjinale të Zgjedhjeve të Përgjithshme për nivelin e Presidentit dhe Zëvendëspresidentit të Republikës Sërpska, kontrolli i rinumërimit konfirmoi se Millorad Dodik është kandidati me numrin më të madh të votave”, ka thënë presidenti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bosnje e Hercegovinës, Suad Arnautoviq.
Një numërim paraprak pas zgjedhjeve i ka dhënë fitoren Dodikut për presidencën e Republikës Sërpska.
Dodiku ka fituar 48 për qind të votave derisa kundërkandidatja, Jelena Triviç, nga opozita ka fituar 43 për qind.
Megjithatë, një ditë pas zgjedhjeve partitë opozitare akuzuan Dodikun dhe partinë e tij për “plaçkitje të organizuar të zgjedhjeve” dhe kërkuan rinumërim.
Republika Sërpska është një prej tri entiteteve në Bosnjë e Hercegovinë.
Opozita ka protestuar disaherë me kërkesën që disa persona të ndiqen penalisht, përfshirë edhe Dodikun, i cili është subjekt i sanksioneve perëndimore për shkak të aktiviteteve të tij për ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.