Zyrtarë nga Ulqini prezantojnë ofertën verore për këtë vit, çmimet do të jenë më të lira
Ulqini është bërë gati për të pritur vizitorët nga Kosova, e të gjithë ata që do t’i kalojnë pushimet në këtë vend do të kenë çmime më të volitshme sesa viteve të tjera.
Ulqini këtë vit do të jetë më i lirë dhe do të ketë një zbritje prej 20 për qind të çmimeve për turistët nga Kosova.
Zyrtarë të Komunës së Ulqinit të hënën në Prishtinë kanë prezantuar ofertat turistike për sezonin 2020, ku ndër të tjera, u tha se Ulqini është një vend i sigurt nga virusi Covid-19, pasi që nuk ka raste të reja.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, u shpreh se i kanë marrë të gjitha masat për të mbrojtur pushuesit nga virusi Covid-19, ku tha se distanca sociale do të respektohet në të gjitha plazhet e Ulqinit.
Ai ka thënë se 20 për qind do të ketë lirime për turistët që shkojnë në Ulqin për të kaluar pushimet, derisa tha se nuk kanë pengesa as në kufi.
“Ju kemi rekomanduar të gjithëve atyre që merren me turizëm që t’i zvogëlojnë dhe të japin zbritje të gjithë vizitorëve që vijnë nga Kosova, mirëpo nuk jemi ne me shkop magjik që t’u themi ulni çmimet. Vullneti i gjithë atyre biznesmenëve të cilët merren me turizëm, besoj se kanë sens dhe do t’i ulin çmimet më pak se vitin që që kemi lënë pas. Siguria në Ulqin është shumë më e madhe”, ka thënë ai.
Ndërsa, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, ka pohuar se Ulqini edhe këtë vit do të pres duar hapur qytetarët e Kosovës që do ta vizitojnë këtë vend, ndërsa u shpreh se Mali i Zi do të ndihmojë Kosovën edhe në fushën e integrimeve evropiane.
“Mali i Zi do të jetë i gatshëm meqë është para Kosovës në disa aspekte, sidomos në aspektin e integrimit evropian dhe të atij euroatlantik. Mali i Zi nuk do të kursejë ndihmën e vet në këtë drejtim dhe në të gjitha drejtimet tjera, jo vetëm për Kosovën po për të gjitha shtetet fqinje që kanë nevojë për këtë. Unë jam i sigurt se Ulqini edhe sivjet në kushtet e pandemisë vërtet pas pandemisë do t’iu pres duar hapur e zemër hapur”, është shprehur ambasadori Dinosha.
Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të MTI-së në Kosovë, Irfan Lipovica, ka theksuar se i mirëpresin qytetarët e Ulqinit që të vizitojnë Kosovën.
Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se Covid-19 po lë efekte të shumta në ekonominë e Kosovës, ku theksoi se ka rënie të të hyrave dhe rënie të aktivitetit ekonomik.
Sipas tij, shumë biznese nuk do të arrijnë të marrin vetën shumë shpejt, për çka ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që sipas tij deri më tash ka qenë e ngathët për të ndihmuar bizneset.
Në këtë takim janë paraqitur edhe ofertat nga hotele të ndryshme, e të cilët kanë deklaruar se i kanë marrë të gjitha masat për t’i mbrojtur turistët nga Coivd-19.