Zyrtarë rusë diskutojnë sanksionet amerikane me diplomatë të lartë të ShBA-së
Ministri rus i Energjisë, Aleksandr Novak, është takuar me homologun e tij amerikan, Rick Perry dhe sekretarin amerikan të Thesarit, Steven Mnuchin, për të diskutuar çështjet e energjisë dhe sanksionet amerikane ndaj Rusisë.
“Jemi takuar. Kemi diskutuar për çështje të energjisë në mesin e gjërave tjera. Kemi bërë disa pyetje për sanksione”, ka thënë Novak në një konferencë për medie në Uashington, pasi takimit me Mnuchin, i cili vitin e kaluar ka nisur sanksione të ashpra ndaj manjatëve rusë, agjencive të mbrojtjes dhe atyre të inteligjencës në Rusi.
“Ne nuk mund t’iu shmangemi këtyre pyetjeve të vështira, kështu që natyrisht që i kemi diskutuar edhe ato gjatë takimit”, është shprehur Novak.
Agjencia ruse e lajmeve, “TASS” ka shkruar se ministri rus ka ngritur çështjen e kërcënimeve të fundit të ShBA-së për të vënë sanksione në projektin rus, Rrjedha Veriore II, e cila pritet të përshkojë Detin Baltik për të arritur në Gjermani.
Në një ligj për sanksionet ruse të miratuar vitin e kaluar nga Kongresi amerikan, Mnuchin është autorizuar për të vendosur sanksione në këtë projekt, i cili është duke u ndërtuar nga gjiganti rus, “Gazprom” dhe kompani të energjisë së Evropës Perëndimore.
Gazsjellësi, “Rjedha Veriore II” ka për qëllim të zëvendësojë pjesërisht tubacionet që kalojnë përmes Ukrainës, të cilat kanë shkaktuar një varg pakënaqësish në mes të Kievit dhe Moskës.
Novak nuk ka treguar se çfarë ai dhe Mnuchin kanë diskutuar për sanksionet, mirëpo agjencia e lajmeve, TASS ka raportuar se ata do të “mbesin në kontakt” për këtë çështje.
Novak ka deklaruar në të kaluarën se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të lejohen të vendosin sanksione në Rusi pa pasur votën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, organizatë në të cilën Rusia ka të drejtën e vetos, si anëtare e përhershme.
Sanksionet amerikane kanë synuar ndëshkimin e Rusisë për aneksimin e Krimesë nga Ukraina më 2014 si dhe për supozimet e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të mbajtura në SHBA më 2016.
Para takimit, Perry u ka thënë gazetarëve se ai, “është i hapur për bisedime për të krijuar marrëdhënie” me Rusinë.
“Unë mendoj se ne kemi mosmarrëveshje me Rusinë, mirëpo besoj se duhet të bisedojmë me palët për të punuar së bashku”, është shprehur ai.
Në të kaluarën, Shtetet e Bashkuara më shumë kanë garuar sesa bashkëpunuar në fushën e energjisë.
Të dyja shtetet janë në mesin e vendeve kryesore të prodhimit të naftës, derisa tani ShBA-ja ka sfiduar së fundmi Rusinë edhe sa i përket gazit natyror.
Rusia njihet për eksportim të naftës për dallim nga ShBA-ja, e cila konsumon pothuajse të gjithë naftën e prodhuar dhe importon miliona fuqi të kësaj lënde në ditë. (Rel)