Zyrtare: Skender Hyseni emërohet koordinator shtetëror për dialogun
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka emëruar anëtarin e Kryesisë së LDK-së, Skender Hyseni, si koordinator shtetëror për dialogun.
Zgjedhja e Hysenit është zyrtarizuar sot nga Qeveria e Kosovës me anë të një njoftimi për medie.
Në këtë njoftim është thënë se përzgjedhja e Hysenit në këtë pozitë vjen bazuar në platformën për dialogun, si dhe funksionet e tij do të jenë në qëllim të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar për dialogun.
“Duke u bazuar në platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 1 korrik 2020, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, kryeministri Avdullah Hoti sot ka emëruar Skender Hysenin, koordinator shtetëror për dialog”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës, raporton “Epoka e re”.