Zyrtarë të lartë komunal të Mitrovicës biseduan me banorët e Mazhiqit
Zyrtarët e lartë komunal të Mitrovicës kanë vazhduar komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarë, me qëllim të identifikimit të problemeve dhe nevojave të tyre, në mënyrë që pastaj të koordinohen aktivitetet për zgjidhjen e tyre.
Një takim të tillë e kanë mbajtur me qytetarët e Mazhiqit të Shalës së Bajgorës drejtoresha për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Nazan Kërveshi dhe drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ekrem Sadiku.
Në takimin me qytetarë në Mazhiq, zyrtarët e lartë komunal fillimisht janë njoftuar për gjendjen aktuale atje nga kryetari i fshatit Kushtrim Zeneli.
Ai dhe diskutuesit tjerë u kanë thënë drejtorëve Kërveshi dhe Sadiku, se në fshat aktualisht janë 40 shtëpi me rreth 200 banorë dhe se problemet sociale janë shqetësuese për ta.
Banorët kanë kërkuar që komuna të përcjell këto shqetësime tek drejtuesit e drejtorive përkatëse në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale për të zgjidhur këto probleme.
/Epoka e re/