Zyrtare: Vedat Muriqi mungon ndaj Maqedonisë së Veriut

06 tetor 2020 | 15:40

Federata e Futbollit të Kosovës ka konfirmuar se sulmuesi Vedat Muriqi nuk do të luajë në tre ndeshjet e ardhshme të Kosovës këtë muaj, përfshirë edhe atë ndaj Maqedonisë së Veriut të enjten.

Përmes një komunikate për medie, FFK-ja ka treguar se Muriqi ka pasur probleme në testimet e fundit që i ka bërë te klubi i Lazios.

“Përkundër insistimit të madh të Federatës së Futbollit të Kosovës, dëshirës së madhe të futbollistit dhe bashkëpunimit korrekt të klubit të Lazios, Vedat Muriqi megjithatë e ka të pamundshme të paraqitet për Kombëtaren e Kosovës në tri ndeshjet në vijim. Futbollisti ka pasur sot testet e fundit në klubin e Lazios dhe në kokën e tij gjithçka ishte e qartë që pas këtyre testeve ai do të nisej për Kosovë. Mirëpo, në testin e fundit u kuptua edhe njëherë definitivisht që nuk ka asnjë gjasë që ai të jetë i gatshëm qoftë për ndeshjen e së enjtes kundër Maqedonisë së Veriut, qoftë për dy ndeshjet pasuese që Kombëtarja jonë i zhvillon në kuadër të Ligës së Kombeve”, ka bërë me dije FFK-ja, duke shtuar se gjendja fizike nuk e lejon sulmuesin të jetë pranë bashkëlojtarëve.

“Informata që ka rrjedhur në faqen zyrtare të Lazios, se futbollisti do të jetë në grumbullim me Kombëtaren edhe pse është një gabim, e konfirmon që gjithçka ishte planifikuar që Muriqi sot të udhëtojë për Kosovë dhe të jetë me ekipin, mirëpo testet e sotme e treguan qartë se gjendja fizike nuk e lejon atë që në asnjë formë të jetë pranë bashkëlojtarëve të ekipit Kombëtar”, është thënë  në komunikatën e FFK-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka…