Zyrtarët e lartë të PDK-së priten nga kryetari i Trevisos, Mario Conte
Zyrtarët e lartë të PDK-së, Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj, Elmi Reçica, Bedri Suka dhe Amir Zogaj, janë duke qëndruar për vizitë në qytetin italian, Treviso, ku janë pritur nga kryetari i qytetit, Mario Conte.
Kështu ka bërë të ditur deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica.
“Në Itali, së bashku me Vlorën, Enverin, Bedri Sukën dhe Admir Zogajn patëm nderin dhe kënaqësinë që ta takojmë kryetarin e qytetit të Trevisos, z.Mario Conte, me të cilin bashkëbiseduam për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet komunave tona, për kontributin e mërgatës tonë dhe integrimin në shoqërinë italiane.
Shprehëm falënderimin tonë ndaj Italisë, për mbështetjen e përhershme që i ka dhënë Kosovës në proceset e shtetndërtimit dhe të integrimit evropian”, shkroi Reçica në profilin e tij në Facebook.