Zyrtarët e lartë të BE-së kërkojnë luftimin korrupsionit
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, gjatë vizitës zyrtare në Kosovë ka dhënë porosi të qartë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Përderisa ka korrupsion dhe krim të organizuar asgjë e mirë nuk do të ndodhë”, ka thënë Junckeri në takimin e zyrtarëve të lartë evropianë me qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Bashkë me Junckerin në këtë takim ka marrë pjesë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe çështje të sigurisë, Federica Mogherini dhe komisionari për zgjerim Johannes Hahn.
Edhe Hahni dhe Mogherini i kanë dhënë porositë e tyre për kosovarët.
Komisionari për zgjerim, Johannes Hahn, ka përsëritur edhe një herë në Prishtinë se në BE nuk mund të hyjë askush që ka probleme me fqinjët.
Hahn gjithashtu përmendi një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Serbinë.
“Ne nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri në BE që nuk i kanë zgjidhur kontestet territoriale e të tjera, pra është e rëndësishme që mes Serbisë dhe Kosovës të ketë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme”, ka thënë Hahni.
Edhe Mogherini ka përmendur marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë për të cilën ka thënë se ka vullnet.
“Unë shoh vendosmërinë, vullnetin në të dyja palët për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, t’i lëmë vetëm palët që të vendosin për konsensusin e tyre, jam optimiste për një përfundim të mirë”, ka thënë Mogherini.
Mogherini ka treguar arsyen e vizitës në Kosovë të tre zyrtarëve të lartë të institucioneve të BE-së, por ka bërë me dije se rruga e Kosovës do të jetë e gjatë dhe e vështirë.
“Qëllimi që jemi këtu është se kjo pjesë e rajonit është pjesë e Evropës. Rrugëtimi është i gjatë dhe i vështirë, kosovarët e rinj e dinë që pritjet që i përshtaten Evropës janë të nivelit të lartë”, ka thënë Mogherini.
Mogherini e ka pranuar se nuk po respektohen sa duhet marrëveshjet e nënshkruara në dialogun e Brukselit.
“Respektimi i marrëveshjeve të nënshkruara nuk është i kënaqshëm. Jam e kënaqur që para dy ditësh kemi pasur takimin e dialogut pas një viti dhe ka shkuar mirë, një ditë pune me shumë rezultate”, ka thënë Mogherini. (Kallxo.com)