Zyrtarët e LV-së nuk pranojnë fajësinë për nxitje të përçarjes dhe kanosjen e gjyqtarit dhe prokurorit
Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, janë deklaruar të pafajshëm katër të akuzuarit Arlind Manxhuka, Egzon Azemi, Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj.
Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e kanë bërë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fikrije Fejzullahu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Manxhuka dhe Azemi ngarkohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërsa Elshani dhe Zenelaj akuzohen për “Kanosje”.
Të njëjtit po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu.
Sipas aktakuzës Manxhuka dhe Azemi ngarkohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenelaj akuzohen për “Kanosje”. Të njëjti po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Manxhuka dhe Azemi më 28 dhjetor 2022, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj të dëmtuarve Bajraktari dhe Shefkiu, të cilët në cilësi të personave zyrtarë më 28 dhjetor 2022 kishin marrë vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit Dejan Pantiq.
“Ashtu që i pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: ‘Ky aktgjykim është akt-tradhti’, pastaj kanë vazhduar me postime tjera nxitëse ‘Për kë punon kjo gjykatë!?’, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: ‘Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha’, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: ‘Tradhtarët plumbin e kanë hak’”, është thënë në aktakuzë.