Zyrtarët e PDK-së vizitojnë liderët e UÇK-së në Hagë: Ata po mbahen pengë
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, shefi i grupit parlamentar, Abelard Tahiri dhe anëtari i kryesisë së kësaj partie, Bekim Çollaku, kanë vizituar të hënën liderët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët nga nëntori i vitit 2020 janë duke u mbajtur në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë.
Me këtë rast, Çitaku ka thënë se liderët e UÇK-së janë duke u mbajtur pengë.
“Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi kanë krijuar historinë. Sfidat dhe pengesat që kanë kaluar në jetë kanë qenë shumëfish më të mëdha se sfida në të cilën po kalojnë sot. Ata nuk janë të burgosur. Ata po mbahen peng. Megjithatë, edhe pas kësaj vizite tek presidenti Thaçi, dolëm optimistë në ngadhënjimin e drejtësisë. Bashkë me Arlindën, Bekimin dhe Abelardin”, ka shkruar Çitaku në llogarinë e vet në “Facebook”.