Zyrtarët e Vetëvendosjes takohen me Mark Gjonajn dhe përfaqësues të mërgatës shqiptare në ShBA

27 shkurt 2019 | 20:16

Në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë u prit një delegacion me përfaqësues të politikës, biznesit, medias dhe shoqërisë civile nga mërgata shqiptare në ShBA, i udhëhequr nga Mark Gjonaj, i cili ka qenë përfaqësues i Asamblesë së Shtetit të New Yorkut dhe është aktualisht Këshilltar i Komunës së Qytetit të New Yorkut. 

Delegacioni nga mërgata u prit nga kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes, Glauk Konjufca, bashkë me deputetët Liburn Aliu dhe Fitore Pacolli, si dhe Sekretaren Organizative, Vlora Haxhimemedi, dhe Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi.

Glauk Konjufca theksoi në këtë takim rolin vendimtar të shqiptarëve në ShBA për çlirimin e Kosovës, nga përfshirja e drejtpërdrejt në radhët e UÇK-së, duke rënë dëshmorë për liri, e deri te ndihma materiale dhe avokimi e lobimi në ShBA. 

Ai shprehu mirënjohjen e thellë të Lëvizjes për gjithë kontributin që ka dhënë e vazhdon të japë mërgata shqiptare për zhvillimin dhe përparimin e atdheut. 

Më tej, ai shpjegoi situatën e rëndë socio-ekonimike në Kosovë, si dhe shkaqet e kësaj situate, të lidhura me politika e politikanë që kanë ndikuar shumë negativisht në rëndimin e situatës. 

Konjufca gjithashtu theksoi kundërshtimin e Lëvizjes ndaj çdo plani për copëtimin e territorit të Kosovës.

Përfaqësuesit e Lëvizjes gjithashtu folën për “Projekt-Ligjin për Diasporën” dhe mangësitë e tij, si dhe për faktin se në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, 71% e votave nga mërgata ka qenë për Lëvizjen, fakt ky që ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si Qeveria e ka zvarritur lehtësimin e procedurave të votimit për bashkatdhetarët.

  

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Musa Sabedini Mos e harroni rastin e Hamdi Sopës,…