Zyrtarët ukrainas ndalojnë në kufi ish-presidentin Poroshenko

03 dhjetor 2023 | 08:10

Shërbimi ukrainas i sigurisë njoftoi të shtunën se i ka ndaluar ish-Presidentit Petro Poroshenko largimin nga vendi, pasi Rusia kishte në plan të shfrytëzonte takimin e planifikuar të tij me kryeministrin e Hungarisë, për të dëmtuar interesat e Ukrainës.

Partia politike e zotit Poroshenko, “Solidariteti Evropian”, tha se ish-presidenti kishte planifikuar takime vetëm në Poloni dhe në Shtetet e Bashkuara dhe paralajmëroi shërbimin e sigurisë SBU të mos përfshihej në politikë.

Zotit Poroshenko iu refuzua në kufi të premten dalja nga vendi.

Shërbimi i sigurisë SBU tha se zoti Poroshenko do të takohej me Kryeministrin hungarez Viktor Orban, i cili mban lidhje të ngushta me udhëheqësin rus Vladimir Putin dhe kundërshton çeljen e bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Sipas shërbimit ukrainas të sigurisë, Rusia po përgatit një seri provokimesh për të diskredituar Ukrainën tek aleatët, ndërsa lufta vazhdon prej 21 muajsh. Nuk u paraqit ndonjë provë për këto aludime.

Për takimin konkret, shërbimi SBU tha se Kryeministri hungarez Orban “mban sistematikisht qëndrime kundër Ukrainës” dhe se është “mik i Putinit” dhe ka kërkuar heqjen e sanksioneve ndaj Moskës për sulmin ushtarak në Ukrainë.

Sipas legjislacionit për gjendjen e jashtëzakonshme, zyrtarët ukrainas duhet të marrin miratim paraprakisht për të udhëtuar jashtë vendit. Nënkryetari i parlamentit, Oleksandr Korniyenko, tha se leja për zotin Poroshenko ishte anuluar pasi kishte marrë një letër për të cilën nuk komentoi.

Zyra e Presidentit ukrainas Zelenskyy nuk bëri komente dhe zyra e Kryeministrit hungarez Orban nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

Zoti Poroshenko ka shërbyer si president i Ukrainës gjatë periudhës 2014-2019. Ai e akuzoi të premten qeverinë e Presidentit Zelenskyy për anulimin e lejes dhe për lojë politike përpara zgjedhjeve. Ata bënë një betejë të hidhur elektorale në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019, kur zoti Zelenskyy fitoi bindshëm ndaj presidentit në detyrë Poroshenko.

Presidenti Zelenskyy tha muajin e kaluar se nuk është koha e duhur për të mbajtur zgjedhje presidenciale. Në kushte normale, ato do të mbaheshin në mars 2024, por zgjedhjet ndalohen për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme./VOA/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një burrë ka vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur…