Zyrtari i AAK-së emërohet u.d. i kryeshefit të Telekomit
Bordi i zgjedhur rishtas i Telekomit të Kosovës ka marrë vendim për emërimin e Zeqir Kiqinës, si ushtrues detyre i kryeshefit të kësaj ndërmarrje.
Kiqina përveç se ka punuar në këtë ndërmarrje që nga vitit 2009, ai është edhe kryetar i Degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Drenas.
Ai ka shpërndarë në profilin e tij në “Facebook” fotografi të kryeministrit Haradinaj, si dhe ka bërë fotografi me deputetin, Daut Haradinaj.
E disa nga anëtarët e bordit që e ka emëruar atë në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit kanë të kaluar apo lidhje me politikën. Lajmin për emërimin e Kiqinës për “Kallxo.com” e ka konfirmuar anëtarja e bordit të Telekomit, Besa Shatri.
“Dje është mbajtur një mbledhje e bordit. Po është zgjedhur dje, është Zeqir Kiqina. Nuk e kemi pyet (nëse ka lidhje me AAK-në), besoj që sot do e pyesim. Është për një muaj, konkursi shpallet këtë javë kështu që nuk është pozitë afatgjatë”, ka thënë Shatri.