Zyrtari britanik i sigurisë: Edhe pas Brexitit, Britania do ta ketë vëmendjen në Kosovë
Drejtori i departamentit për siguri euroatlantike nga Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe, Nick Gurr, ka vizituar Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, i cili është pritur në takim nga ministri i kësaj ministrie, Rrustem Berisha dhe komandanti i FSK-së, Rrahman Rama.
Ai ishte i shoqëruar edhe nga ambasadori britanik, Rruari O’Connell, atasheu i Mbrojtjes, nënkoloneli Andy Layton dhe këshilltari britanik i komandantit të FSK-së, nënkoloneli Jake White.
Në takim me Berishën dhe Ramën, Gurri ka biseduar për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e deritanishëm si dhe perspektiven e këtyre marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Britanisë së Madhe, respektivisht ministrive të mbrojtjes.
Berisha ka falënderuar Gurrin për përkrahjen politike të Britanisë së Madhe në procesin para dhe gjatë transformimit të FSK-së në ushtri.
Ai gjithashtu ka njoftuar atë me ecurinë e zbatimit të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së dhe rezultatet konkrete gjatë fazës së parë 120 ditëshe, pas hyrjes në fuqi të ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.
Ministri Berisha ka kërkuar që përkrahja britanike të intensifikohet edhe më tej duke reflektuar nevojat e FSK-së me mision të ri.
Në takim, Berisha ka shprehur gatishmërinë e FSK-së për të marrë pjesë në misione paqeruajtëse në botë.
Ndërsa, drejtori i departamentit për siguri euroatlantike nga Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe, Nick Gurr, fillimisht ka uruar popullin e Kosovës për 20-vjetorin e hyrjes së trupave të KFOR-it.
Ai ka thënë se edhe pas Brexitit, rajoni i Ballkanit dhe Kosova në veçanti do ta ketë vëmendjen e Britanisë së Madhe.
“Britania e Madhe do të jetë edhe më e angazhuar duke qenë zë i fuqishëm i Kosovës në qëllimin e saj për anëtarësim në NATO do ta thellojë bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes dhe do ta vazhdoj përkrahjen në tranzicionin e FSK-së”, ka thënë Gurri.
/Epoka e re/