Zyrtari i AAK-së: Nuk do të heqim dorë nga posti i presidentit
Kryetari i Komunës së Suharekës dhe anëtari i Kryesisë së AAK-së, Bali Muharremaj, ka folur në lidhje me zgjedhjen e presidentit të Kosovës
Muharremaj ka thënë se çfarëdo vendime që do të marrin Këshilli Drejtues dhe grupi parlamentar i AAK-së për këtë çështje do të pajtohen.
“Çështja e presidentit ështe çështje e grupit parlamentar dhe çështje e Këshillit Drejtues të partisë dhe qysh vendos Këshilli Drejtues, ne pajtohemi”, ka thënë ai.
Më tutje, Muharremaj ka thënë se nuk kanë hequr dorë nga presidenti.
“Ne nuk kemi hequr dorë nga presidenca. Kemi drejtë si çdo grup parlamentar ka drejtë me konkurruar edhe ne si grup parlamentar konkurrojmë për kryetar të shtetit. Unë besoj që përderisa nuk merren vesh partitë politike do të ta kenë të vështirë ta zgjedhin qeverinë dhe presidentin”, ka thënë Muharremaj për “EO”.
Sipas tij, fokusi kryesor i AAK-së është interesi i qytetarëve. Ai është i bindur se në zgjedhjet lokale do të jetë sërish kryetar i Suharekës.
AAK-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit kishte garuar me kryetarin e saj si kandidat për president. Por partia e Ramush Haradinajt në këto zgjedhje mori mbi 7 për qind të votave, bazuar në rezultatet preliminare.