Zyrtari i arrestuar dyshohet se shkyçi kamerat në Deçan

17 korrik 2021 | 09:52

Mbrëmë në media u raportua për arrestimin e një zyrtari në Deçan, i cili do të hetohet edhe në lidhje me helmimin e mbi 1500 qytetarëve në këtë komunë.

Ndërkaq, sot Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth këtij rasti, ku mes tjerash thuhet se kamerat në grykën e Deçanit, nuk kanë punuar tashmë e dy muaj.

“Policia ka pranuar informacion se kamerat e sigurisë në grykën e Deçanit, nuk janë duke punuar që nga data 17.05.2021. Njësia policore ka arrit të identifikojë dhe të arrestoj të dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin e bazuar se ka bërë shkyçjen e kamerave”, thuhet në raportin e policisë.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, arrestimi i tij dyshohet se lidhet me rastin e helmimit të rreth 1 mijë e 500 qytetarëve në fshatrat e kësaj komune.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

“Po është ndaluar një zyrtar i AKP-së pranë MPMHI-së me seli në Deçan për keqpërdorim të detyrës zyrtare, përderisa ishte në kryerje të detyrës zyrtare në cilësinë e pylltarit në laurën ‘Gryka e Deçanit. Hetimet janë duke u zhvilluar për të shikuar se a ka ky rast ndonjë lidhshmëri me çështjen e ujit në komunën e Deçanit”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rasti i helmimit i rreth 1.500 qytetarëve të Deçanit, ditë…