Pas arrestimit të zyrtarit rus, MPJ-ja kërkon sqarime nga UNMIK-u
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka bërë me dije se kanë thirrur UNMIK-un për të dhënë sqarime shtesë në lidhje me zyrtarin e arrestuar rus gjatë operacionit policor në veri të Kosovës.
Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se do të vazhdojë të punojë ngushtë me autoritetet e zbatimit të ligjit për të sqaruar situatën e pranisë së zyrtarit ndërkombëtar dhe lokal të UNMIK-ut në barrikadën e vendosur në veri.
“Sot, gjatë operacionit policor në veri të Kosovës, policia ka arrestuar një zyrtar ndërkombëtar të UNMIK-ut (shtetas rus) dhe një zyrtar lokal të UNMIK-ut. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës do ta trajtojë çështjen bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Policia e Kosovës ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme për detajet e ngjarjes. Ministria e Punëve të Jashtme ka thirrur UNMIK-un për sqarime dhe do të vazhdojë të punojë ngushtë me autoritetet e zbatimit të ligjit për të sqaruar situatën e pranisë së zyrtarit ndërkombëtar dhe lokal të UNMIK-ut në barrikadë”, ka shkruar Pacolli.
/Epoka e re/