Zyrtari i komunës së Mitrovicës, Bedri Sadiku, sulmohet në vendin e punës
Koordinator për kthim dhe riintegrim në Komunën e Mitrovicës, Bedri Sadiku, është kërcënuar dhe sulmuar fizikisht në vendin e tij të punës.
Përmes një komunikate për medie, Komuna e Mitrovicës ka treguar se zyrtari i saj është sulmuar pa ndonjë arsye nga qytetari Nazmi Ismajli.
“Qytetari Nazmi Ismajli, ishte kthyer më parë nga Danimarka, pasi që autoritetet e këtij shteti e kishin refuzuar kërkesën e tij për qëndrim atje (azil). Për këtë arsye Nazmiu ishte përfshirë në skemën e përfituesve për personat e riatdhesuar sipas Rregullores së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Departamenti për persona të riatdhesuar, në kuadër të MPB-së. Madje, Ismajli është i riatdhesuari që ka përfituar më së shumti nga skema e lartpërmendur, pasi që përveç ndihmave të parapara për ushqim, veshmbathje e të tjera, i është paguar qiraja për pesë vjet me radhë, ani pse Rregullorja e lartpërmendur nuk lejon që kjo mbështetje për të riatdhesuarit të jetë më e gjatë se një vit. Mirëpo, kur Nazmiu është ftuar për të marrë vendimin mbi ndërprerjen e pagesës së qirasë, që e kishte marrë Komisioni komunal për riintegrim, për shkak se në rastin e tij ishte shkelur rregullorja e lartpërmendur, ai fillimisht e ka ofenduar dhe kërcënuar rëndë verbalisht koordinatorin Sadiku dhe më pastaj edhe e ka sulmuar fizikisht në zyrën e tij”, është bërë me dije në komunikatën e Komunës së Mitrovicës.
Sipas komunikatës së komunës, Sadiku rastin e ka paraqitur në stacionin jugor të policisë së Kosovës në Mitrovicë, e cila është duke i ndërmarrë procedurat e nevojshme ndaj qytetarit Nazmi Ismajli.
Këtë sulm e ka dënuar kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili ka kërkuar nga policia e Kosovës dhe organet e hetuesisë që të ndërmarrin masa të menjëhershme ligjore ndaj sulmuesit, në mënyrë që rastet e këtilla të mos përsëriten më.
/Epoka e re/