Zyrtari i lartë amerikan: Nuk mbajmë anë, marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke

03 prill 2019 | 17:21

Zëvendësasistenti i Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer, ka përsëritur edhe një herë mesazhin e presidentit Doald Trump se është koha e duhur për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se kjo “mundësi historike” duhet të shfrytëzohet.

Palmeri i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që t’i shmangin veprimet të cilat e bëjnë edhe më të vështirë kompromisin.

Në një intervistë për revistën “Cord”, ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë pjesë e negociatave, por e mbështesin fuqishëm dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se normalizimi i këtyre raporteve është jetik për aspiratat evropiane të dy shteteve.

“Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e aplikueshme, që nuk krijon destabilizim të asnjë vendi apo të rajonit. Ne do ta konsideronim seriozisht një marrëveshje që përmbush këto kushte”, ka thënë Palmeri, trasnmeton “Gazeta Express”.

Më tutje, Palmeri ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do ta vizatojnë marrëveshjen se si do të duket ajo, pasi procesi i marrëveshjes duhet të vijë nga dy palët, Kosova dhe Serbia.

Ai ka thënë se ShBA-ja beson që është në interes të Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë një marrëveshje bilaterale që do të dërgonte në normalizim të raporteve, që do të konkretizohej me njohje reciproke.

“Ne nuk mbajmë anë apo ofrojmë zgjidhje. BE-ja është ndërmjetësues i dialogut dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë procesin”, ka thënë zyrtari i lartë i Amerikës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Derbi i Ligës së Parë në futboll në mes Vushtrrisë…