Zyrtari i lartë i administratës së Bidenit shtyu vizitën në Kosovë

08 qershor 2023 | 13:44

Natën kur Kosova dhe ushtria e saj është përjashtuar nga “Defender Europe 23”, një zyrtar i lartë amerikan kishte njoftuar shtyrjen e vizitës së planifikuar pas disa ditësh në Prishtinë.

Të dy këto, si ndëshkim për “dorën” që ia dha Qeveria e Kosovës përshkallëzimit në dhunë të situatës në veri të vendit.

Ndihmëssekretari në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, më 3 qershor 2023 do të ateronte për vizitë zyrtare në Prishtinë.

Vetëm pak ditë para nisjes drejt Kosovës, ku do të qëndronte deri më 7 qershor 2023, Robinsoni ka anuluar udhëtimin, duke e shtyrë vizitën e tij. Krejt kjo shkaku i gjendjes që është krijuar në veri, e cila ka çuar Kosovën në ndëshkime nga ShBA-ja, aleati kryesor i vendit.

 

“Për shkak të krizës aktuale në veri të Kosovës, ndihmëssekretari Robinson e shtyu udhëtimin e tij në Kosovë. Ne po u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet dhe për t’u kthyer në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë për “Reporteri”-n një zëdhënës i ambasadës së ShBA-së në Kosovë.

Në vizitën e tij katërditore në Prishtinë, Robinsoni kishte paraparë një sërë takimesh me shefat e shtetit dhe qeveritarë dhe vizita në institucionet e ndryshme të sigurisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë.

Siç ka marrë vesh “Reporteri”, Robinsoni në fillim të kësaj jave, në agjendë kishte edhe një takim me kryeministrin Albin Kurti. Ai po ashtu do të pritej në zyrën e saj edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

Në agjendën e takimeve, Robinsoni kishte të paraparë edhe takim me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndërsa i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, zyrtari i lartë amerikan planifikonte të vizitonte edhe Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të planit investiv të KEDS-it, afër dhjetë mijë…