Zyrtari i lartë i BE-së: Po bëhet përparim në liberalizimin e vizave për Kosovën
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë të hënën se Bashkimi Evropian (BE) do të japë një përditësim mbi liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Ne do të japim më shumë informacion të martën, por mund t’ju them se po bëhet përparim”, ka thënë Micheli në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin slloven, Robert Golob në Lubjanë, përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, të martën.
“Ne mund të shohim se hapa të rëndësishëm përpara janë bërë kohët e fundit. Nesër dëshirojmë të kemi një deklaratë të përbashkët që do ta afrojë Ballkanin Perëndimor edhe më pranë Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
Kosova është në mesin e një numri të vogël të vendeve në Evropë që është jashtë regjimit pa viza të BE-së.
Javën e kaluar, ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së ranë dakord për t’i dhënë dritë jeshile bisedimeve të Presidencës së Këshillit Evropian me Parlamentin Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Micheli ka theksuar se samiti do të ketë në agjendë krizat energjetike, luftën në Ukrainë dhe krizën e emigracionit.