Zyrtari i LV-së: Nuk na duhet që Rama të na mbrojë nga Ramushi
Zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, ka thënë nuk iu duhet që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ta mbrojë Albin Kurtin nga Ramush Haradinaj.
Ky reagim i Zaimit ka ardhur pasi Rama i ka dalë në mbrojtje Kurti për heqjen e taksës, duke e sulmuar Haradinajn.
“Neve nuk na duhet Rama të na mbrojë nga Ramushi. Kemi qenë vetë opozitë e demonizuar padrejtësisht dhe e shtypur, dhe pjesë e ndryshimit që kemi dëshiruar është edhe sinqeriteti e hapja për bashkëpunim me opozitën, jo armiqësimi me të. Çfarë do të na ishte dashur e çfarë presim, jo nga personi, por nga çdo kryeministër i Shqipërisë, është bashkimi i qëndrimeve dhe strategjisë së Shqipërisë me Kosovën, sa i përket politikës ndërkombëtare”.
“Nuk na duhet mbrojtje prej opozitës, na duhet qëndrim i përbashkët ndaj vendeve e projekteve armiqësore ndaj shtetësisë së Kosovës. Këto vende e projekte kanë fituar hapësirë, pikërisht duke shfrytëzuar moskoordinimin e shqiptarëve dhe prirjen e tyre që të ‘fitojnë pikë’ para superfuqive duke u treguar sa më ‘bashkëpunues’ me fqinjin, shpesh duke shkelur mbi vëllain, qoftë ai në krahun tjetër të pushtetit, qoftë në krahun tjetër të kufirit”, ka shkruar Zaimi në llogarinë e vet në “Facebook”.