Zyrtari i LV-së: S’ka qeveri të re pa fituesin e zgjedhjeve
Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kryeziu, e ka kritikuar presidentin e vendit, Hashim Thaçin, për takimin e djeshëm me partitë politike, për të folur rreth mundësisë së krijimit të një qeverie te re, apo për shkuarjes në zgjedhje.
“Nuk mund të ketë qeveri të re pa fituesin e zgjedhjeve. Presidenti ka detyrim kushtetues që herën e parë t’i drejtohet vetëm fituesit, e jo partive të tjera. Le të ma gjejë presidenti se ku ne e kemi refuzuar çështjen e mandatarit dhe, përveç kësaj, nuk ka një afat kohor që duhet t’i përgjigjemi, marr parasysh rrethanat me Covid-19.
Mbase kompetencat nuk po i bien për shtati tani dhe presidenti ka dalë nga roli i vet neutral.
Qytetarët e kanë kuptuar saktësisht lojën dhe teatrin që po zhvillohet para syve. Tendenca është me e zhbë një rezultat që është vendosur në kutitë e votimit.
Presidenti i republikës edhe sipas aktgjykimit që po i referohet vet nuk ka pasur të drejtë që në raund të parë t’i ftojë partitë për konsultim. Në herën e parë është dashur t’i drejtohet vetëm fituesit. Ne kemi dhënë përgjigje me argumente në gjithë ato letra dhe kemi thënë që për ne sot është prioritet vetëm Covid 19”, ka shprehur mendimin Kryeziu.
Ai ka thënë se po të ishin të bindur ata që janë mirë te qytetari, “jo Covid, por për çfarëdo do të shkonin në zgjedhje, mirëpo ata rezultatin e dinë”, ka thënë ai në “Klan Kosova”.
“Ideja e tyre është të shkohet sa më shpejt në marrëveshje që po shihet se është e dëmshme. E kanë parë se si i është qasur Albini dialogut.
Gjykata Kushtetuese do të jetë institucion ku do ta adresojmë çështjen e shkeljes kushtetuese. Nuk është dashur fare që të takohen partitë e tjera në raundin e parë, vetëm në raste sikur ne të tërhiqeshim nga ajo e drejtë.
Nuk kemi detyrim kushtetues për ta dërguar mandatarin në situatën në të cilën jemi.
Ne ende nuk e kemi dhënë përgjigjen tonë, të cilën gjë do ta bëjmë. Le të ma gjejë dikush nenin ku presidenti mund të përcaktojë afate.
Ne e kemi thënë që në momentin që përfundon çështja e pandemisë do t’i kthehemi presidentit”, ka deklaruar Kryeziu.