Zyrtari i NATO-s në Beograd: Nuk jemi kundër ushtrisë së Kosovës
Zyrtari i lartë nga Departamenti i Diplomacisë Publike në NATO, Robert Pszczel gjatë një konference për medie në Beograd, ka thënë se NATO nuk është kundër krijimit të ushtrisë së Kosovës, por ka kërkuar që procesi i transformimit të bëhet në përputhje me Kushtetutën.
Pszczeli ka theksuar se transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës është e drejtë e Qeverisë nga Kosova.
Mirëpo, ai ka theksuar se çdo formë e transformimit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me konsultime me bashkësinë ndërkombëtare, transmeton “lajmi.net”.
“Nëse do ua merrnim atë të drejtë, e dimë se si do të jetë situata atje dhe çfarë kuptimi do të kishte”, ka thënë Pszczeli.
Sipas tij, nuk planifikojnë plane për zvogëlimin e forcave të KFOR-it në Kosovë, por misioni i tyre varet edhe nga gjendja e sigurisë në vend.
Qëndrimi i NATO-s është se duhet të vazhdohet kërkimi për një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët, theksoi Pszczel.
Kurse, këshilltari i Ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Branimir Filipoviq, ka thënë se qëndrimi i Serbisë për transformimin e forcave të sigurisë së Kosovës në ushtri është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.