Zyrtari i Nismës propozon Limajn për president

24 gusht 2020 | 15:23

Anëtari i Këshillit Kombëtar të partisë Nisma Socialdemokrate, Leotrim Berisha, ka thënë se kandidat ideal për president të vendit do të ishte Fatmir Limaj.

Para takimit të liderëve të koalicionit qeverisës, në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në këto gjashtë vitet e fundit Fatmir Limaj ka dëshmuar se është politikan që asnjëherë nuk e ka vendosur interesin partiak para atij shtetëror.

 

Postimi i plotë i Berishës:

Do të ishte krejtësisht normale nëse debati për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri do të imponohej nga afatet kushtetuese.

Po ashtu do të ishte legjitime të shpallen kandidatura e të shprehen ambicie për postin e presidentit, për sa kohë që ky debat nuk do të ishte nxitur nga propozim aktakuza në Gjykatën Speciale.

Megjithatë më përfundimin e mandatit të presidentit aktual, vendit i duhet një president unifikues, dikush që nuk nxitë përçarje në shoqëri dhe i cili mund t’i bëjë bashkë pozitë e opozitë sa herë që ka nevoje vendi.

Por, kush do të ishte ideal për president?

Fatmir Limaj.

Në këto gjashtë vitet e fundit si kryetar partie, Fatmir Limaj ka dëshmuar se është politikan që asnjëherë nuk e vendos interesin partiak para atij shtetëror.

Fatmir Limaj në vitin 2014 ishte ideator i formimit të LAN-it (më pas VLAN) si nevojë e domosdoshme për ndryshim të pushtetit në vend aso kohe.

Ai qëndroi besnik këtij projekti deri në fund dhe nuk u tundua, përkundër së kishte ofertë nga PDK për të ndarë përgjysmë pushtetin.

Fatmir Limaj në opozitë ishte mirëmbajtësi kryesor i opozitës së bashkuar në kundërshtim të marrëveshjeve të dëmshme për asociacion dhe demarkacion.

Në kohën e qeverisjës së PDK-AAK-NISMA (2017-2019) sërish ai ishte balancuesi dhe ai që investoi më së shumti në ruajtjen e këtij partneriteti, ndonëse i sfiduar nga përplasje të mëdha mes presidentit dhe kryeministrit.

Angazhimi i tij përmanent në cilësinë e zv/kryeministrit dhe të bashkëkryesuesit për dialog ishte bashkimi i spektrit politik në temat nacionale për vendin.

Të njëjtin mendim e ndajnë edhe plot gazetarë dhe anëtarë nga shoqëria civile të cilët e vlerësojnë sjelljen e Limajt në politikë si adekuate për postin e presidentit.

Sidoqoftë i mbetet spektrit politik në vend dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës të vendosin për presidentin, i cili angazhimin më të madh do të duhej ta kishte në krijimin e konsensusit sa më të gjerë për temat që na presin muajve dhe viteve në vazhdim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arsenali dhe Pierre-Emerick Aubameyang janë shumë pranë rinovimit. “Topçinjtë” janë…