Zyrtari i OBSh-së: Njerëzit në Kosovë po vdesin nga sëmundje lehtë të parandalueshme

27 shtator 2023 | 15:27

Të mërkurën në Prishtinë ka filluar punimet simpoziumi ndërkombëtar për sëmundjet jongjitëse.  Në hapje të këtij simpoziumi është potencuar se sëmundjet jongjitëse janë në thelb “armik i padukshëm” që shkaktojnë vdekje në gjithë botën.

Oleksandr Martynenko, udhëheqës i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) në Prishtinë, ka thënë se në Kosovë, njerëzit janë duke vdekur nga sëmundjet lehtë të parandalueshme.

“Njerëzit në Kosovë po vdesin nga sëmundje lehtë të parandalueshme. Mënyra më e mirë për të parandaluar sëmundjet jongjitëse është mjeku familjar, kujdesi parësor shëndetësor”, ka thënë Martynenko.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se këto sëmundje janë vështirë të menaxhuara, prandaj sipas tij ndërveprimi institucional është i rëndësishëm.

Në këtë aspekt, Vitia ka thënë se akterët shëndetësorë janë duke bërë maksimumin për t’i adresuar sëmundjet kronike jongjitëse.

“Po punojmë në ngritjen e buxhetit në 300 milionë në trajtimin e këtyre sëmundjeve. Një nga aspektet më të rëndësishme në trajtimin e këtyre sëmundjeve është edukimi në kujdesin e tyre shëndetësor. Prandaj është e rëndësishme që të ketë edhe përkrahje emocionale dhe shoqërore për të prekurit nga këto sëmundje. Simpoziumi ka rëndësi të veçantë në avancimin e profesionistëve tanë dhe rritjen e politikave shëndetësore, sepse ato duhet të diskutohen dhe rishikohen vazhdimisht. Duke ju dëshiruar sukses në këtë simpozium të gjithëve pa përjashtim dhe mysafirëve ndërkombëtarë, natyrisht se është e mundur të jetojmë një jetë të mirë e të shëndetshme pavarësisht problemeve që i shkaktojnë ato. Nuk kam dyshim se me koordinim do të mund të ja arrijmë këtij qëllimi”, ka thënë Vitia.

Në anën tjetër, drejtori i Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK), Naser Sahiti, ka thënë se këto sëmundje ndryshe quhen edhe sëmundje të heshtura për shkak të tendencës së tyre për t’u zhvilluar ngadalë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tjetër futbollist ka vendosur të veshë fanellën e Kosovës.…