
Zyrtari i PDK-së në Mitrovicë: Arsimi po dëmtohet rëndë nga keqqeverisja e Agim Bahtirit dhe LV-së
Anëtari i Kryesisë së Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Mitrovicë, Fahri Shabani, ka akuzuar qeverisjen në këtë komunë në krye me Agim Bahtirin për dëmtimin e arsimit.
Ky reagim i tij ka ardhur me rastin e përfundimit të gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor 2020/21.
“Edhe ky gjysëmvjetor tregoi se fatkeqësisht sikur të gjitha fushat e tjera të jetës në Mitrovicë edhe arsimi po goditet e po dëmtohet rëndë dhe vazhdimisht nga keqqeverisja, paftësia dhe mungesa e vizionit të Komunës së Mitrovicës e cila udhëhiqet nga Agim Bahtiri dhe LV-ja”, ka thënë ai në një konferencë për medie.
Deklarata e plotë e Shabanit:
Të nderuara media!
Të nderuar qytetarë!
Sot përfundon gjysëmvjetori i parë i vitit shkollor 2020/21.
Pa dyshim një vit shkollor me shumë specifika dhe sfida dhe aspak i lehtë .
PDK- Dega në Mitrovicë uron nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për përfundimin e këtij gjysmëvjetori me jo pak vështërsi dhe pengesa për shkak të pandemisë COVID-19 dhe jo vetëm.
PDK-Dega në Mitrovicë, përgëzon dhe falënderon nxënësit, mesimdhënësit dhe prindërit për përkushtimin, angazhimin maksimal, punën dhe rezultatet e arritura në këtë gjysëmvjetor edhe pse në kushte dhe rrethana të vështira dhe sfiduese.
PDK-Dega në Mitrovicë vlerëson dhe shprehë shqetësimin se procesi mësimor edhe në këtë vit shkollor po sfidohet dhe po pengohet nga pasojat e keqqeverisjes, paaftësisë dhe mungesës së vizionit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës, që janë vertetuar edhe nga raportet e organizatave monitoruese dhe vendimet e institucioneve të drejtësisë.
Edhe ky gjysmëvjetor tregoi se fatkeqësisht sikur të gjitha fushat e tjera të jetës në Mitrovicë edhe arsimi po goditet e po dëmtohet rëndë dhe vazhdimisht nga keqqeverisja, paftësia dhe mungesa e vizionit të Komunës së Mitrovicës e cila udhëhiqet nga Agim Bahtiri dhe LV-ja .
Mospërgatitja e duhur e shkollave dhe mospërkrahja e vazhdueshme e tyre për masat kundër pandemisë COVID-19, ndërhyrjet dhe presioni politik në shkolla përmes drejtorëve të emëruar politikisht, mospagesa e shujtave dhe pagave jubilare si obligime të dala nga kontrata kolektive, mosdhënia e pagave të prapambetura shumë mësidhënësve, parregullsitë në konkurset për punësim, punësimet e mësidhënësve pa konkurs dhe pa kontratë, mungesa totale e investimeve në kabinete, laborator, salla sportive dhe mjete të konkretizimit janë vetëm disa nga vargu i gjatë i dështimeve të Komunës së Mitrovicës në fushën e arsimit.
PDK-Dega në Mitrovicë ka përcjellur me vëmendje zhvillimet në arsim dhe ecurinë e procesit mësimor. Ne vlerësojmë lart punën, profesionalizmin, angazhimin dhe përkushtimin e mësimdhënësve në të gjitha shkollat e Mitrovicës.
Por ky kontribut i mësidhënësve tanë po pengohet dhe po sfidohet në vazhdimësi nga keqqeverisja, paaftësia dhe mungesa e vizionit të udhëheqjes komunale të Mitrovicës.
Ne kemi reaguar fuqishëm ndaj parregullsive, padrejtësive dhe dukurive të tjera që po e dëmtojnë dhe degradojnë arsimin në Mitrovicë. Reagimet tona kanë rezultuar edhe me anulime konkursesh dhe dënime që organet e zbatimit të ligjit i kanë shqiptuar Komunës së Mitrovicës.
Por arsimi, shëndëtësia, zhvillimi ekonomik, urbanizmi dhe të gjitha fushat e tjera të jetës në Mitrovicë kthehen në rrugë të mbarë të zhvillimit dhe të progresit vetëm me largimin e këtij pushteti komunal plotësisht të paaftë dhe të korruptuar.
PDK-Dega në Mitrovicë në vazhdimësi po punon dhe po angazhohet që ndryshimet pozitive në arsim dhe në të gjitha fushat e tjera, që do të vijnë në Mitrovicë të jenë sa më cilësore dhe të dobishme për qytetarët e Mitrovicës.
Ndryshimi pozitiv është i pandalshëm.
Ne jemi të vendosur që bashkë me qytetarët ta fuqizojmë këtë ndryshim pozitiv.