Zyrtari i ShKK-së akuzon zv/ministrin Sallahu që urdhëroi hetimet për shkarkimin e tij nga puna
Isuf Ibërdemaj, drejtori i Qendrës së Paraburgimit për të Mitur në Lipjan, është shkarkuar sot nga Ministria e Drejtësisë, si rrjedhojë e një raporti të Inspektoratit të MD-së që u cilësua si ndërhyrje në punët e Prokurorisë së Shtetit.
Pas këtij shkarkimi është deklaruar Ibërdemaj, i cili ka thënë se, lidhur me shkarkimin është njoftuar nga një njoftim i skenuar, por sipas tij ai nuk di më shumë detaje.
“Nuk jam i njoftuar më shumë, arkiva e Ministrisë së Drejtësisë e paska dërgu një formë të njoftimit kështu të skenuar, jo diçka më hollësisht nuk di. Fatkeqësisht unë jam jashtë vendit, babain e kam në spital dhe deri ka fundi i javës tjetër nuk jam fizikisht atje dhe prandaj edhe nuk e kam ndërmend me u marrë me këtë punë këto ditë”, ka thënë ai, për FrontOnline.
Tutje, Ibërdemaj ka folur edhe për dyshimet që përmenden si arsye të shkarkimit. Sipas tij Qendra e Paraburgimit ka zbatuar vetëm urdhërat e prokurorisë. Ibërdemaj ka përmendur edhe zëvëndësministrin e drejtësisë, Blerim Sallahu, që sipas tij ky i fundit ka marrë vendim “për një veprim që është bërë në koordinim dhe me urdhëresë të prokurorit”
“Ne atë person e kemi dërgu në prokurori, nuk e kemi liru, por për çfarë do lloj rasti ne do të sqarohemi pas një jave kur të kthehem në Kosovë, sepse tash po rezervohem sepse nuk jam shumë i njoftuar për këtë dhe vendimi ka qenë i pritur sepse tendenca e zv.ministrit në këtë drejtim ka qenë evidente prej fillimit, prej kohës kur ja ka fillu inspektimit edhe nuk ka pas tjetër epilog, mirëpo po më çudit fakti se si me kaq lehtësi zv.ministri i drejtësisë mundet me marrë një vendim që për një veprim që ne e kemi bërë në koordinim dhe me urdhëresë të prokurorit”, ka shtuar ai.
Ibërdemaj nuk ka treguar se cilat janë hapat që do ndërmarr pas këtij shkarkimi. Mirëpo, ai është shprehur se pas kthimit nga Gjermania do të merret me këtë çështje.
“Kur të kthehem pastaj do ta shoh. Ata që e kanë bërë vendimin kanë konsideru se është i drejtë , ndërkohë që unë nuk e konsideroj asnjë lloj shkelje sepse bëhet fjalë për një veprim që ne e kemi bë me urdhër të prokurorit edhe prandaj këtë punë ua kemi bërë shumë herë me dije edhe eksponentëve të Ministrisë edhe aty sejmenëve të tyre që i kanë dërgu për inspektim, por ata me gjasë e kanë konsideru që janë në nivel më kompetent për me marrë këso vendime, sidomos kur bëhet fjalë për urdhëra dhe për bashkëpunim tek e fundit ne e kemi obligim me i respektua urdhëresat e gjykatës dhe prokurorisë. Ne nuk kemi bërë diçka që bien ndesh, tash në qoftëse zv,ministri i drejtësisë e konsideron që urdhri i gjykatës në këtë rast , urdhëri i prokurorit është një veprim që duhet me kontestua atëherë është çështje e tij”, ka thënë ai.
Kujtojmë se vendimin për shkarkimin e Ibërdemajt e nënshkroi sot ministrja Albulena Haxhiu. Sipas vendimit, shkarkimi i Bërdemajt bazohet në një raport të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, që ishte urdhëruar nga zëvendësministri Blerim Sallahu për hetime për dalje nga burgu të Bashkim Mulollit, një ish-dëshmitari bashkëpunues të Prokurorisë. Raporti i Inspektoratit të MD-së konstatoi se lirimi nga burgu u dëshmitarit bashkëpunues të Prokurorisë ishte i jashtëligjshëm.
Sipas dosjes të cilën e ka siguruar Paparaci, Blerim Sallahu i kishte kërkuar Inspektoratit të MD-së kryerjen e hetimeve mbi procedurat e lirimit të Bashkim Mulollit, përfshirë “urdhëresën e Prokurorisë” për lirimin e tij.
Raporti i Inspektoratit, nxjerr përfundime të ashpra në drejtim të zyrtarëve të Shërbimit Korrektues.
Inspektorati i Ministrisë, vlerëson se i burgosuri, dëshmitari bashkëpunues i Prokurorisë së Shtetit, është liruar pa përfillur procedurat ligjore të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
“Përcjellja e të burgosurit Bashkim Mulolli nga institucioni për në Prokurorinë Themelore është në kundërshtim me Rregulloren e Brendshme të Punës NR. 1459 i datës 30.11.2015”, konstaton raporti i Inspektoratit të MD-së mbi “rastin e përcjelljes së të burgosurit Bashkim Mulolli”.
Inspektorati, në raportin që mban datën 11 tetor, 2021, konteston aktvendimin mbi lirimin me kusht të Mulollit, të nxjerrë nga Paneli për Lirim me Kusht – organ i pavarur i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Fajëson krerët e Shërbimit Korrektues të Kosovës për shpërfillje të procedurave.
Hetimet e Ministrisë mbi rastin zbulojnë mungesën e informimit të Panelit për Lirim me Kusht mbi një incident të rëndë në të cilin ishte përfshirë Mulolli brenda Burgut të Sigurisë së Lartë.
“Përcjellja e dokumentacionit për lirim me kusht nga ekipi profesional i BSL-së [Burgut të Sigurisë së Lartë] është bërë me datën 19.02.2021 ku ka munguar koordinimi mes dy institucioneve, në këtë rast mes BSL-së dhe QP-Prishtinës që paneli për lirim me kusht të informohet me shkresa zyrtare për rastin e incidentit me datën 20.01.2021, ku i burgosuri e sulmon fizikisht udhëheqësin për siguri në Drejtorinë Qendrore, Ilir Kelmendin, pasi që paneli ka marrë vendim për lirim me datën 31.03.2021”, thotë raporti.
Por, dosja dhe dokumentacioni i përcjellë nga Shërbimi Korrektues, e thotë të kundërtën. Përmendet që Mulolli më 20 janar 2021 e kishte sulmuar fizikisht drejtorit për siguri të burgjeve, Ilir Kelmendi. Sulmuesi ishte sanksionuar më 15 ditë vetmi. Rasti ishte raportuar në Polici të Kosovës. Ishte konfirmuar për media ky sulm që tashmë dihet publikisht për të.
Ministria e Drejtësisë, në një reagim ndaj shkrimit hulumtues të Paparacit, tha javën e kaluar se raporti i Inspektoratit të MD-së nuk ndërlidhet me punën e Prokurorit të Shtetit.