Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë: Situata në Kosovë në ‘tehun e thikës’

09 janar 2025 | 11:28

Në një përmbledhje të politikës së jashtme të amerikane gjatë katër viteve të fundit nën udhëheqjen e presidentit Joe Biden, zëvendës-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jon Finer, ka thënë të mërkurën se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor mbetet “një shqetësim i madh për Shtetet e Bashkuara”.

I ftuar për të diskutuar çështjet e ndryshme globale në institutin ndërkombëtar Chatham House, me seli në Londër, Finer, i cili ka shërbyer në këtë pozitë të lartë në Shtëpinë e Bardhë, u pyet edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor, ndikimin rus dhe kinez në rajon dhe konfliktin e pazgjidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se “ekzistojnë dy vija kryesore ndarëse për të cila jemi më të shqetësuar se për të tjerat” në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që ka theksuar se presidenti Biden mbetet i përkushtuar në çështjet e sigurisë së këtij rajoni që nga koha kur kryesonte Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

“Njëra është situata në Kosovë, një aleat thelbësor i Shteteve të Bashkuara, që është në tehun e thikës”,  ka deklaruar Finer.

Finer ka thënë se sa i përket Kosovës, është qëndrim amerikan që ajo “duhet të jetë edhe sovrane edhe të respekojë komunitetet pakicë të cilat ekzistojnë përbrenda asaj që është një Kosovë sovrane”.

Finer ka thënë se këto janë çështje që administrata e presidentit Biden është angazhuar “t’i menaxhojë, shpesh nën radar përmes diplomacisë së kujdesshme përgjatë tërë (mandatit) të kësaj administrate” dhe se ato mbesin sfida të cilat duhet vëzhguar dhe ku situata vazhdon të jetë shqetësuese.

Ai ka thënë se shqetësim tjetër për SHBA-të në këtë rajon “është ndarja e mundshëm,” e Bosnjës, “ku të paktën njëri nga udhëheqësit, zoti Dodik, të paktën në formë retorike po ndjekë një agjendë që bën thirrje për shpërbërjen e shtetit, të cilin ne e kundërshtojmë fuqishëm”.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara besojnë që “nuk ka qasje më të mirë se (marrëveshja) e Dejtonit për të ruajtur paqen në Bosnjë”./VOA/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
West Ham United ka ndryshuar trajnerin pas rezultateve të dobëta.…