Zyrtari i lartë amerikan: Anëtarësimi i Kosovës në OKB, qëllim i ShBA-së
Ushtruesi i detyrës së zëvendësndihmësit të sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, i cili ka qëndruar për vizitë në Prishtinë dhe Beograd para disa ditësh, ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në OKB është qëllimi i negociatave Kosovë – Serbi.
Ai ka përmendur edhe afatet rreth marrëveshjes për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Palmeri megjithatë ka thënë se nuk ka ndonjë datë të precizuar se kur Kosova do të mund ta fitojë karrigen në OKB.
“Sigurisht që ky është qëllimi ynë. Nuk kam afat kohor për këtë. Anëtarësimi në OKB është proces i komplikuar, kërkohet kohë që të arrihet, por integrimi i Kosovës në sistemin ndërkombëtar është duke vazhduar. Shpresoj se do të përshpejtohet dhe që Kosova në një periudhë të shkurtër do të jetë anëtare e OKB-së. Por edhe një herë, nuk kemi ndonjë afat të caktuar, datë të dëshiruar për këtë, pra sa më parë të jetë e mundur” ka thënë Palmeri.
Diplomati amerikan ka folur edhe për afatin e bisedimeve për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi duke thënë se nëse kjo do të arrihej deri në fund të vitit do të ishte e shkëlqyeshme.
“Shpresoj se të dyja palët do të munden të arrijnë përparim. Mendoj se kjo është e mundur, por nuk dua të vendos afat përfundimtar, në kuptimin që dy palët duhet që deri më këtë datë të gjejnë zgjidhjen ose duhet ta gjejmë një zgjidhje tjetër. Do të jemi në këtë proces aq sa duhet”, ka thënë Palmeri.