Zyrtari i NATO-s: Ushtria e Kosovës vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Alli, ka thënë se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri mund të bëhet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese.
Ai në një konferencë të përbashkët për medie me kryeministrin Ramush Haradinaj ka thënë se prezenca e NATO-s në Kosovë i kontribuon stabilitetit rajonal.
“Çdo gjë merr kohë, por mendoj se prezenca jonë është që të kontribuojë në stabilitetin e rajonit. NATO konsideron se transformimi duhet të ndodhë në respektimin e kushtetueses dhe gjithashtu mendojmë se mënyra me e mirë është reforma kushtetuese. NATO-ja është këtu dhe do të jetë këtu”, ka thënë Alli.
Ai ka thënë se Evropa nuk është e kompletuar pa Ballkanin Perëndimor.
“Jam këtu që të them se Asambleja jonë është shumë e afërt me Kosovën dhe mendojë se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës. Evropa nuk do të jetë e kompletuar nëse nuk është edhe Ballkani Perëndimor. Shohim progres në këtë aspekt, ka edhe shumë gjëra për të bërë. Besojmë se lidershipi juaj është i fortë dhe do të jeni të suksesshëm në këtë proces”, ka thënë Alli.
Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova e mirëpret pranin e KFOR-it në vendin tonë.
“E mirëpresim praninë e KFOR-it, NATO-s në Kosovë. Është prezencë që është e respektuar nga qytetarët. Ne do të bëjmë më të mirën tonë”, ka thënë Haradinaj.