Zyrtari i Partisë së Merkelit: Kosova ta ratifikojë demarkacionin sipas Marrëveshjes së vitit 2015
Kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Parlamentin Evropian dhe anëtar i CDU—së së Angela Merkelit, CDU, David McAllister, ka thënë se mosmarrëveshjet e pazgjidhura territoriale në rajon duhen zgjidhur para se vendet të avancojnë kah BE-ja.
Në një intervistë për të përditshmen malazeze “Pobjeda”, McAllister ka theksuar se ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit nga ana e Kosovës është i një rëndësie qenësore për të dy shtete, veçanërisht për Prishtinën, që po përpiqet të sigurojë liberalizimin e vizave.
McAllister ka thënë se liderët e Kosovës dhe zyrtarët shtetërorë duhet të bëjnë gjithçka është e mundur në mënyrë që të plotësojnë edhe kushtet e fundit për liberalizim vizash – që janë ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe të arrijë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Nuk ka alternativë tjetër të ratifikimit të Marrëveshjes kufitare përveç se asaj të nënshkruar mes dy vendeve më 2015”, ka potencuar David McAllister.
Demarkacioni dështoi dy herë, në dy seancat e fundit, pasi LDK e AAK nuk pajtoheshin lidhur me përmbajtjen e dokumentit që do të miratohej në Parlament. Partia e Isa Mustafës kërkonte që raporti i Shpejtim Bulliqit të ishte vetëm informues, ndërsa, Haradinaj kërkonte që i njëjti të ishte obligues.
Marrëveshja e arritur më 2015 kishte dështuar të ratifikohej pasi AAK, NISMA dhe Vetëvendosjes kishin kundërshtuar me arsyetimin se Kosova humbë tokë. Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qëndrim derisa kanë paralajmëruar votën kundër.