Zyrtari rus bën deklaratën shokuese: Putin nuk do të jetojë për të parë vitin 2024
Ilya Ponomarev, i cili ishte i vetmi anëtar i parlamentit rus që votoi kundër aneksimit të Krimesë nga Moska në vitin 2014, ka thënë se Vladimir Putin “nuk do të jetojë për ta parë vitin e ardhshëm”, sipas medieve të huaja.
Ponomarev ishte anëtar i Dumës Shtetërore të Rusisë nga viti 2007 deri në vitin 2016, por tani ndodhet në Ukrainë dhe po drejton një lëvizje opozitare që ai shpreson se do ta shndërrojë Rusinë në një demokraci funksionale.
Sipas tij, njoftimi i Putinit se ai kishte aneksuar territoret ukrainase që Rusia nuk mund t’i kontrollojë plotësisht, si dhe pengesat si lëvizja e dështuar në Kiev dhe tërheqjet nga Kherson dhe Kharkiv, mund të çojnë që rrethi i tij i brendshëm të kthehet kundër tij.
“Fuqia e Putinit qëndron në pozicionin e tij si personi që është i pathyeshëm. 2022 ishte viti kur ky pozicion filloi të zbehej. Parashikimi im mbetet ende se ai nuk do ta shohë ditëlindjen e tij të ardhshme”, ka thënë Ponomarev për Newsweek nga Kievi. Putini mbush 71 vjeç më 7 tetor.
“Ëndrra ime personale është padyshim që të shoh Putinin në Hagë, por nuk mendoj se ai do t’ia dalë”, ka thënë më tej Ponomarev.
“Ata që e rrethojnë nuk do ta lejojnë të shkojë në Hagë, sepse dëshmia e tij në fakt mund të jetë shumë e dëmshme për ta, kështu që ai do të vritet”.
Ndryshe, dëshmitë e mbledhura nga organizatat joqeveritare, media dhe hetuesit nxitën ambasadoren e përgjithshme të SHBA-së për drejtësinë penale globale, Beth Van Schaack, të akuzonte Rusinë në nëntor për krime “sistematike” të luftës.
Ponomarev është një nga organizatorët e “Kongresit të Parë të Deputetëve Popullorë të Rusisë”, një grup që u takua në Poloni në nëntor për të krijuar një kushtetutë që thotë se ofron një rrugë për Rusinë drejt tranzicionit drejt një demokracie funksionale.
Ai është gjithashtu autor i librit: “A duhet të vdes Putini? Tregimi se si Rusia bëhet demokraci pas humbjes nga Ukraina”.