Zyrtarisht fillon fushata presidenciale në Rusi
Të hënën ka filluar edhe zyrtarisht fushata presidenciale në Rusi. Fushata ka nisur bazuar në një rezolutë zyrtare të Dhomës së Lartë të parlamentit, e cila është bërë me dije gjatë javës së kaluar.
Kandidatët kanë kohë 20 ditë për të dërguar dokumentet e tyre të regjistrimit në Komisionin Qendror Zgjedhor.
Kandidatët e pavarur duhet të kenë të paktën 300.000 nënshkrime në mbështetje të tyre, ndërsa kandidatët që përfaqësojnë parti mirëpo nuk janë pjesë e parlamentit duhet të dorëzojnë 100.000 nënshkrime.
Shefja e Komisionit për Zgjedhje, Ella Pamfilova ka thënë se të paktën 23 persona kanë shprehur vullnetin e tyre për të kandiduar për president.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë më 6 dhjetor se ai do të kërkojë votën edhe për një mandat tjetër, raporton “Rel”.
Më 14 dhjetor ai u ka thënë gazetarëve se do të garojë si kandidat i pavarur dhe jo si kandidat i nominuar nga partia e kontrolluar nga Kremlini, Rusia e Bashkuar.
Kritikët e Kremlinit kanë thënë se me qëllim është vendosur data 18 mars, që njëherësh shënon edhe ditën kur më 2014, Putini ka nënshkruar një traktat me anë të të cilit Moska pretendon se Krimea është pjesë e Rusisë.
Komisioni zgjedhor ka thënë se lideri opozitar dhe aktivisti kundër korrupsionit, Aleksei Navalny, një kritik i ashpër i Putinit, nuk ka të drejtë kandidimi për shkak të një dënimi penal, për të cilin ai beson se ishte i motivuar politikisht.
Kandidatë tjerë janë edhe lideri i Partisë Komuniste, Gennady Zyuganov, nacionalisti, Vladimir Zhirinovsky, liberali, Grigory Yavlinsky e shumë të tjerë. Sipas parashikimeve pritet që Putin të fitojë edhe një tjetër mandat gjashtëvjeçar.