Zyrtarizohet kandidatura e Sokol Halitit për kryetar të Vitisë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zyrtarizuar kandidaturën e Sokol Halitit për kryetar të Komunës së Vitisë.
Me këtë rast, Abdixhiku e ka quajtur kryetarin aktual të Vitisë njeri të fjalës. “Sokoli është njeri i fjalës. Është i përkushtuar ndaj familjes së tij. I përkushtuar ndaj qytetarëve të Vitisë, problemet e të cilëve i mban si të vetat. Sokoli përfaqëson të gjitha virtytet e njeriut në të cilin beson LDK-ja. Prandaj ne dhe qytetarët bashkërisht do ta mbështesim Sokolin pa rezervë në këtë garë drejt rikonfirmimit të fitores në Viti dhe rikthimit të madh të LDK-së”, ka thënë Abdixhiku, duke shtuar se Haliti gjatë qeverisjes së tij e ka transformuar Vitinë.
“Sokoli ka transformuar Vitinë. Ka ndërtuar shkolla sa pak qytete të tjera në vend; fusha sportive, sheshe, rrugë, parqe – ka rregulluar shtratin e lumit e tokat pjellore të Vitisë kanë marrë vëmendjen e nevojshme përherë. Gjatë pandemisë, Sokoli ishte lider. Niveli organizativ i tij dhe preokupimi në detaje ishte shembull për të gjithë”, ka deklaruar Abdixhiku.