Zyrtarizohet largimi i Mottas nga Bologna, gati transferimi te Juventusi
Thiago Motta nuk do ta drejtojë Bolognan në sezonin 2024/25, teksa njoftimi është bërë zyrtar nga vetë klubi kuqeblu. Trajneri italo-brazilian është shumë pranë stolit të Juventusit, që i ka ofruar kontratë trevjeçare.
“Këtë mëngjes Thiago Motta i komunikoi klubit synimin e tij për të mos rinovuar kontratën me Bologna FC 1909. Duke marrë parasysh vendimin, klubi falënderon trajnerin për punën e jashtëzakonshme të kryer dhe i uron atij fat në vazhdimin e karrierës”, thuhet në shënim.
Tani fillon numërimi mbrapsht për njoftimin zyrtar të emërimit të Thiago Mottas në krye të Juventusit. Ai është njeriu i zgjedhur prej disa kohësh nga Cristiano Giuntoli për të hapur një cikël të ri pas epokës së Allegrit. Thiago Motta pritet të nënshkruajë me Juventusin deri më 30 qershor 2027 për rreth 4 milionë euro neto në sezon.