Zyrtarizohet mësimi shqip në diasporë, Meta dekreton ligjin
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dekretuar këtë të enjte ligjin nr. 48/2018, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 69/2012 për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, ku janë përfshirë propozimet e parashtruara në Strategjinë e re për Diasporën.
Mbi bazë të këtij ligji, Ministria e Arsimit do të krijojë regjistrin shtetëror të mësuesve të gjuhës dhe kulturës shqiptare jashtë vendit dhe do të pajisë me certifikatë nxënësit pas përfundimit të programit, transmeton tch.
Kriteret për krijimin e regjistrit shtetëror dhe dhënien e certifikatës miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për arsimin.
Gjithashtu, një tjetër shtesë e rëndësishme është përfshirja e përfaqësuesit të ministrisë përgjegjëse për Diasporën në Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar.