Zyrtarja e lartë amerikane: Irani po destabilizon Lindjen e Mesme
Programi raketor i Iranit po destabilizon Lindjen e Mesme dhe po ngritë rrezikun e një “gare rajonale të armëve”, ka thënë Yleem Poblete, ndihmës sekretare amerikane e shtetit për kontrollin e armëve dhe verifikimin. “Programi iranian i raketave është një kontribues kyç për rritjen e tensioneve dhe destabilizimit e rajonit, duke shtuar rrezikun e një gare rajonale të armëve”, ka deklaruar Poblete në Gjenevë në një konferencë të OKB-së për çarmatimin.
Ajo ka shtuar se “Irani duhet të ndërpresë menjëherë aktivitetet që lidhen me raketat balistike të dizajnuara për të qenë në gjendje të mbajnë armë bërthamore dhe të ndalojë përhapjen e raketave dhe teknologjisë për grupet terroriste dhe aktorët e tjerë jo shtetërorë”.
Zyrtarja e lartë amerikane, Poblete në mënyrë specifike përmendi mbështetjen e Iranit për rebelët Huthi në Jemen dhe grupin militant Hezbollah në Liban.
Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vendosë sanksione ndaj Iranit pasi sipas SHBA-së, ky vend po shkel rezolutat e OKB-së./rel/